Si pasojë e reshjeve të shtuara dhe vërshimeve të ditëve të fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, ka intensifikuar monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm në gjithë vendin.
Analizat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike kanë rezultuar me nxjerrjen jashtë funksionit të impianteve për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Bivolak për shkak të turbullirës së lartë. Ndërkohë, impiantet në Badoc dhe Batllavë po funksionojnë normalisht dhe cilësia e ujit është brenda standardeve.
Në rajonin e Mitrovicës, uji aktualisht përdoret vetëm për nevoja teknike, megjithëse sipas KRU “Mitrovica” parametrat janë të menaxhueshëm dhe pritet konfirmimi përfundimtar nga IKSHPK. Ujë i pijshëm brenda standardeve raportohet edhe në Prizren, Suharekë, Dragash, Gjilan, Pejë dhe Istog.
Ndërsa për përdorim teknik mbetet uji në Malishevë, Kamenicë, Viti, Deçan, Junik dhe Klinë, derisa monitorimet të përfundojnë dhe situata të stabilizohet.




