Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thirrur për të martën një mbledhje me nënkryetarët dhe kryetarët e komunave të udhëhequra nga partia, në një kohë kur brenda LDK-së po thellohen debatet pas humbjes së rëndë në zgjedhje.
Burime të partisë bëjnë me dije se takimi nuk ftoi të gjithë kryesinë, për të shmangur tensionet e pritshme dhe diskutimet kritike për rezultatet zgjedhore. Ky takim shihet si faza paraprake për “shkarkimin e tensioneve” para se çështja të kalojë në nivel më të lartë politik.
Pas mbledhjes pritet të mblidhet Kryesia e LDK-së për të diskutuar hapat e mëtejshëm, përfshirë caktimin e një date për Kuvendin e partisë, që mund të vendosë për të ardhmen e lidershipit.
Në të njëjtën kohë, janë shtuar zërat për dorëheqjen e Abdixhikut, por krahu i tij po mobilizohet për të mos e pranuar, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatin është e përbashkët. Situata brenda LDK-së mbetet e tensionuar, ndërsa vendimet e ditëve në vijim pritet të përcaktojnë drejtimin politik të partisë.




