Reshjet e dendura të shiut dhe borës kanë shkaktuar grumbullim uji, rrëshqitje dheu dhe vështirësi në qarkullim në disa segmente rrugore të vendit. Lajmi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Hysen Durmishi.
Ai tha se institucionet përgjegjëse kanë reaguar menjëherë duke angazhuar të gjitha kapacitetet për largimin e pengesave dhe sigurimin e qarkullimit sa më normal. Sipas Durmishit, situata më problematike paraqitet në rrugën Prishtinë–Ferizaj, ku qarkullimi është ende i bllokuar për shkak të sasisë së madhe të ujit të grumbulluar, e shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike.
Durmishi paralajmëroi se pas reshjeve të shiut kanë nisur reshjet e borës dhe gjatë natës priten temperatura nën zero, çka mund të shkaktojë ngrica në rrugë. Për këtë arsye, ekipet janë të angazhuara në pastrimin e të gjitha rrugëve që janë në kompetencën e ministrisë, si dhe kanë shprehur gatishmëri për të ndihmuar edhe institucionet lokale kudo që paraqitet nevoja.




