Gjatë seancës për rastin e zhvatjes mbi 1 milion euro nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, disa nga 39 të pandehurit u përballën me përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe kërkuan ndihmë mjekësore.
Seanca, e nisur në orën 16:00, u ndërpre disa herë për të ofruar ndihmë nga Emergjenca dhe përfundoi në orën 23:00.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim për ish-drejtorin ekzekutiv Sami Mazreku, ish-drejtorin e Financave Valon Berisha dhe dy të tjerë, ndërsa për 35 të pandehurit e tjerë ka propozuar masa më të lehta si paraqitja në stacion policor.
Të dyshuarit akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve dhe falsifikim dokumentesh, duke shkaktuar dëm 1.043.000 euro BKS-së. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore dhe pajisje elektronike.




