Bekim Haxhiu, kandidati i PDK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka dorëzuar ankesë zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkelje të ligjit zgjedhor.
Sipas Haxhiut, ligji parashikon qartë se fletëvotimet me postë pranohen vetëm deri më 29 dhjetor 2025, ora 16:00. Megjithatë, ai pretendon se KQZ ka pranuar dhe numëruar mbi 23 mijë vota që kanë mbërritur pas këtij afati.
“Ky nuk është problem teknik, por shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit. Asnjë vendim administrativ nuk mund të ndryshojë ligjin. Afatet zgjedhore nuk janë rekomandime, por garanci për barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit. Kur numërohen vota jashtë afatit, rezultati deformohet”, ka deklaruar Haxhiu.
Ai ka paralajmëruar se numërimi i këtyre votave rrezikon ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, duke theksuar se kërkon vetëm zbatim të barabartë dhe strikt të ligjit për të gjithë. “Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë. Pa ligj, nuk ka zgjedhje të ndershme”, ka përfunduar Haxhiu.




