Deputeti i zgjedhur i PDK-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka falënderuar publikisht votuesit pas përfundimit të numërimit të votave, duke theksuar se rreth 40 mijë qytetarë i dhanë besimin për herë të nëntë që të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës.
Në një video në Facebook, Hoxhaj u shpreh mirënjohës dhe tha se ky besim do ta udhëheqë në çdo vendim politik. Ai paralajmëroi se demokracia në Kosovë është e rrezikuar nga brenda, ndërsa shteti nga jashtë, duke theksuar nevojën për përballje pa kompromis.
Hoxhaj shtoi se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit e obligon PDK-në të përballet me qeverinë e ardhshme, por edhe me vetveten, duke kërkuar ringritje dhe rikthim të partisë. Në fund, ai bëri thirrje për unitet dhe bashkim rreth qytetarit.




