Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se pas reshjeve rekorde që përfshinë pothuajse gjithë territorin e vendit, situata sa i përket reshjeve është stabilizuar. Megjithatë, java nis me depërtimin e masave të ftohta ajrore, të cilat do të sjellin rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë Kosovën.
Sipas IHMK-së, temperaturat minimale gjatë mëngjeseve pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet ditore do të arrijnë deri në 7 gradë. Mëngjeset do të jenë shumë të ftohta me ngrica, vende-vende edhe me mjegull, ndërsa era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi dhe juglindja.
Instituti ka kërkuar kujdes të shtuar për pjesëmarrësit në trafik për shkak të ngricave. Gjatë ditëve të javës parashihet mot kryesisht i vranët me intervale me diell, me temperatura që gradualisht do të shënojnë rritje drejt fundit të javës.




