Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 42-vjetorin e rënies së veprimtarëve të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha. Me këtë rast, Kurti ka vizituar edhe familjet e heronjve Malaj dhe Berisha në Gjilan.
Në komunikatën e lëshuar, thuhet se Rexhep Malaj ishte anëtar dhe udhëheqës i organizatës së fshehtë Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi (LRSHJ), ndërsa Nuhi Berisha ishte udhëheqës i Shtabit Operativ të LRSHJ-së për Universitetin e Prishtinës.
Më 11 janar 1984, policia jugosllave ndërmori një aksion për kapjen e tyre në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku ata ndodheshin të strehuar. Pas rezistencës së armatosur, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha u vranë pas mesnate.
Sipas komunikatës, rënia e tyre u përjetua si shembull ideal i angazhimit dhe flijimit për liri, duke mbetur frymëzim për aktivistët dhe popullin shqiptar në Kosovë.





