Avokati Ardian Bajraktari ka deklaruar se mbrojtja është në avantazh të theksuar në prag të deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilat do të mbahen nga 9 deri më 18 shkurt 2026.
Ai theksoi se fokusi kryesor do të jetë besueshmëria e dëshmive dhe e dëshmitarëve, ku sipas tij mbrojtja disponon dokumente dhe dëshmi të fuqishme, përfshirë materiale nga administrata amerikane dhe dëshmitarë me reputacion të lartë.
Në anën tjetër, Bajraktari kritikoi prokurorinë për përdorimin e dëshmive dhe dokumenteve të marra nga institucionet serbe, duke vënë në dyshim besueshmërinë e tyre. Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja pritet të shpallet e mbyllur nga trupi gjykues.




