Gjykatësi Avni Syla ka vendosur që seanca e shqyrtimit fillestar për rastin “Rezervat Shtetërore” të mbahet e mbyllur për publikun, për shkak të përmbajtjes së informacionit të klasifikuar në dosjen e prokurorisë.
Ai paralajmëroi se çdo publikim i informacionit konfidencial gjatë procesit gjyqësor do të sjellë përgjegjësi ligjore.
Avokatët e të akuzuarve kundërshtuan vazhdimin e seancës, duke theksuar se nuk kanë qasje në dokumentet e klasifikuara dhe kërkuan deklasifikimin e dosjes para vazhdimit të procedurës.
Në këtë rast akuzohen ministrja në detyrë Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi. Sipas Prokurorisë Speciale, përmes kontratave të kundërligjshme për blerjen e rezervave shtetërore, buxheti i Kosovës është dëmtuar për rreth 2.9 milionë euro.




