Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka ofruar dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, duke e cilësuar këtë si hapin më moral në rrethanat aktuale politike brenda LDK-së.
Pas një diskutimi mbi pesë orë me strukturat e partisë, Abdixhiku tha se janë dëgjuar të gjitha kritikat dhe shqetësimet, ndërsa vendimi përfundimtar do t’i takojë Kuvendit të LDK-së.
“Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Vendimi tani nuk është më i imi, por i LDK-së”, u shpreh ai, duke theksuar se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas partisë.
Ky reagim vjen pas dorëheqjes së Hykmete Bajramit nga posti i nënkryetares së LDK-së, e cila kishte kërkuar gjithashtu largimin e Abdixhikut. Ai theksoi se çdo vendim që do të merret nga Kuvendi i partisë do ta respektojë me dinjitet, duke nënvizuar se “mbi çdo emër është LDK”.




