Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që 914 vendvotime, apo rreth 36 për qind e tyre në nivel vendi, të hapen sërish për rinumërim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), raporton Ekonomia Online.
Vendimi është marrë pas dyshimeve për mospërputhje të votave ndërmjet kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike. Këto dyshime kanë dalë nga verifikimi i votave në 33 vendvotime, ku është konstatuar se numri i votave të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhet me votat e shënuara në fletëvotime.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se qëllimi i rinumërimit është garantimi i saktësisë dhe integritetit të procesit zgjedhor, duke theksuar se çdo votë do të verifikohet për të siguruar që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen të gjitha vendvotimet, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohet nga 10 për qind e vendvotimeve. Elezi ka shtuar se, varësisht nga gjetjet gjatë këtij procesi, KQZ mund të marrë vendim për zgjerimin e rinumërimit edhe në vendvotime të tjera.




