Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se aktualisht po operon me pesë njësi prodhuese të energjisë elektrike, duke arritur një prodhim bruto ditor mbi 20 mijë MWh. Sipas KEK-ut, në kushte normale operohen katër njësi, ndërsa për shkak të temperaturave të ulëta është vënë në funksion edhe njësia e pestë.
KEK bën të ditur se ky operim përfaqëson një gjendje të rrallë teknike, duke pasur parasysh moshën e njësive prodhuese. Njësia A4 është sinkronizuar me sukses me rrjetin, ndërsa rikthimi paralel i njësive B1 dhe A4 dëshmon stabilitetin e sistemit dhe kapacitetin profesional të stafit.
Sipas njoftimit, sistemi aktualisht po funksionon me kapacitete të plota, duke garantuar siguri dhe stabilitet në furnizimin me energji elektrike.




