Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër N.Sh., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili akuzohet se së bashku me dy persona të tjerë ka kultivuar 1 592 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa në tri parcela në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës pa autorizim, me qëllim prodhimin e narkotikëve. Parcelat dhe aktiviteti i të pandehurve janë identifikuar edhe përmes vëzhgimit ajror me dron, dhe veprimet e tyre janë dokumentuar me foto e video nga masa e fshehtë e vëzhgimit.
N.Sh. ishte arrestuar me urdhër arrest ndërkombëtar, është ekstraduar nga Republika e Shqipërisë në Kosovë dhe që nga 2 dhjetori 2025 ndodhet në paraburgim në Republikën e Kosovës. Prokurori ka propozuar që gjykata ta shpallë atë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.




