Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka vizituar në Hagë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët ndodhen në paraburgim prej më shumë se pesë vitesh.
Në një deklaratë për Klan Kosova, Haradinaj tha se i kishte gjetur Thaçin dhe Veselin në gjendje të mirë shpirtërore dhe mendore, pavarësisht kohës së gjatë që po e kalojnë në paraburgim. Sipas tij, të dy janë të motivuar, të relaksuar dhe me qëndrim të qetë ndaj procesit gjyqësor.
Haradinaj theksoi se Thaçi dhe Veseli janë optimistë se në fund do të ketë drejtësi dhe një aktgjykim lirues, duke shtuar se ata e kuptojnë nevojën për t’iu përgjigjur procesit që po zhvillohet ndaj tyre.
Ai bëri të ditur se gjatë vizitës kishte realizuar edhe një gjest simbolik, të cilin e cilësoi si diçka që të paraburgosurit “të mos ta harrojnë”, pa dhënë më shumë detaje.
Sipas Haradinajt, vizita në paraburgimin e Hagës ishte e mbikëqyrur rreptësisht, ndërsa ambientin e përshkroi si shumë kontrollues.




