Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar dhe nderuar sot Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, tre figura të shquara të rezistencës kombëtare, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Në një postim në profilin e saj zyrtar në Facebook, Presidentja Osmani ka vlerësuar sakrificën e tyre, duke i quajtur “tre patriotë që nuk u përkulën, tre zëra që nuk u shuan, tre flakadanë të lirisë sonë”. Ajo theksoi se atentati që synoi t’i heshtte, i bëri ata të pavdekshëm në kujtesën dhe historinë kombëtare.
“Ata ishin zëri i Kosovës së robëruar dhe kushtrimi i popullit që nuk pranonte nënshtrimin,” ka shkruar Osmani, duke shtuar se gjaku i Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut është në themelet e lirisë dhe të Republikës së Kosovës.
Presidentja përfundoi mesazhin e saj me një homazh të fuqishëm: “Lavdi e përjetshme heronjve të fjalës, të idealit dhe të kombit!”




