Kandidati Anton Quni ka reaguar lidhur me raportimet për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Qendrën e Numërimit në Prizren, duke deklaruar se çdo rritje e votave në emrin e tij ka ndodhur pa dijeninë dhe pa pëlqimin e tij.
Në një deklaratë publike, Quni ka theksuar se nuk ka kërkuar, inkurajuar apo ndihmuar në asnjë formë devijimin e vullnetit të qytetarëve, duke shtuar se votat e shtuara artificialisht nuk përfaqësojnë mbështetjen e tij reale dhe bien ndesh me parimet e tij personale dhe politike.
Ai ka vlerësuar se përfshirja e emrit të tij në këtë rast ka dëmtuar rëndë reputacionin dhe besueshmërinë e ndërtuar ndër vite, ndërsa ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të hetojnë motivin dhe përgjegjësit e kësaj, që sipas tij përbën një akt kriminal.
Quni ka bërë të ditur se është i interesuar që rasti të zbardhet plotësisht, përfshirë arsyet pse është përdorur emri i tij dhe identitetin e personave të përfshirë në manipulim. Ai gjithashtu u ka kërkuar ndjesë publike kandidatëve të tjerë, votat e të cilëve mund të jenë tjetërsuar.
Sipas tij, procesi zgjedhor duhet të jetë i drejtë dhe çdo votë duhet t’i takojë kandidatit që e ka fituar me meritë. Quni ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me Policinë, Prokurorinë dhe institucionet tjera relevante për zbardhjen e plotë të rastit.





