Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve gjatë procesit të numërimit, duke bërë thirrje për veprim të menjëhershëm nga Prokuroria.
Sipas Cakollit, parregullsitë e evidentuara në disa vendvotime dhe komuna kanë marrë përmasa serioze dhe nuk mund të konsiderohen as gabime njerëzore e as raste të izoluara. Ai ka theksuar se dhjetëra apo qindra vota të tjetërsuara në një vendvotim, si dhe mijëra në nivel komunal, tregojnë për një skemë të organizuar manipulimi.
Cakolli ka shtuar se identiteti i komisionerëve në Qendrën e Numërimit është i njohur, por sipas tij, manipulime të tilla nuk mund të kryhen vetëm nga ta. Ai ka theksuar se përfshirja e kandidatëve të caktuar në këto raste është e mundshme dhe se hetimet duhet të përfshijnë edhe ata.
Sipas tij, vetëm hetimi i plotë dhe ndjekja penale e përgjegjësve mund të rikthejë besimin në procesin zgjedhor dhe të mbrojë integritetin e votës së qytetarëve.




