Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 24-vjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra më 17 janar të vitit 2002 në Pejë.
Në një reagim publik, Kurti ka theksuar se rasti i vrasjes së Hajdarajt vazhdon të mbetet i pazbardhur edhe pas më shumë se dy dekadash, duke nënvizuar se atentati kishte motive politike dhe përçarëse. Sipas tij, mungesa e drejtësisë për këtë rast përbën një goditje serioze për jetën politike dhe procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Kurti ka rikujtuar se Smajl Hajdaraj ishte profesor i matematikës, veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më pas pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku shërbeu si komandant i shtabit rajonal për Rugovë. Pas luftës, ai u rikthye në arsim dhe angazhimin politik, duke u zgjedhur deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit të Kosovës.
Sipas kryeministrit, vrasjet e motivuara politikisht dhe atentatet ndaj figurave publike nuk janë krime të zakonshme, por cenim i rëndë i demokracisë dhe stabilitetit institucional. Ai ka theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të këtyre rasteve, në funksion të drejtësisë për viktimat, familjet e tyre dhe shoqërinë në tërësi.





