Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka reaguar pas rënies së njësisë B2 në Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila ka ndodhur sot, më 18 janar 2026, duke larguar mbi 250 megavat-orë energji elektrike nga sistemi pa paralajmërim.
Shala ka vlerësuar se kjo nuk është një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit joefikas dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale. Sipas tij, rëniet e paplanifikuara të njësive energjetike krijojnë paqëndrueshmëri në treg dhe ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të energjisë.
Ai ka theksuar se situata të tilla u japin hapësirë tregtarëve të energjisë të diktojnë kushtet, ndërsa barrën financiare e bartin qytetarët. Sipas Shalës, heshtja institucionale dhe mungesa e rezultateve nga investimet po e dobësojnë gjithnjë e më shumë sigurinë energjetike të vendit.
Shala ka paralajmëruar se pa reforma serioze dhe llogaridhënie, krizat energjetike do të vazhdojnë dhe çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët do të rriten edhe më tej.





