Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe eksperte e energjisë, Janina Ymeri, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me reduktime të energjisë elektrike, pavarësisht aktivizimit të disa njësive prodhuese, për shkak të mungesës së stabilitetit energjetik dhe planifikimit të dobët.
Sipas saj, kapacitetet aktuale të prodhimit nuk po arrijnë të mbulojnë kërkesën, duke e detyruar vendin të mbështetet në import të lartë të energjisë. Ymeri ka theksuar se edhe pse disa blloqe janë vënë në funksion, gjenerimi mbetet nën nivelin e nevojshëm, duke bërë që Kosova të importojë qindra megavat-orë energji në orë.
Ajo për Ekonomia Online ka vlerësuar se mungesa e stabilitetit energjetik sjell dy alternativa: ose import të lartë ose reduktime të energjisë elektrike. Sipas saj, disa rajone të vendit po preken më shumë nga reduktimet për shkak të mungesës së kapaciteteve të mjaftueshme dhe kufizimeve teknike të sistemit.
Ymeri ka bërë të ditur se gjatë orëve të mesnatës importi ka arritur nivele shumë të larta, duke tejkaluar kapacitetet transmetuese, ndërsa ka kritikuar mungesën e planifikimit afatgjatë të importit. Ajo ka theksuar se dallimet mes energjisë së planifikuar dhe asaj reale të importuar po e rëndojnë edhe më shumë situatën.
Kritika ajo ka adresuar edhe ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke vlerësuar se mungesa e planifikimit sektorial po krijon paqartësi dhe vështirësi në funksionimin normal të tregut energjetik.
Sipas Ymerit, Kosova aktualisht nuk ka mundësi për eksport të energjisë dhe është e varur nga importi gjatë gjithë ditës, veçanërisht në orët e pikut, çka rrit ndjeshëm koston financiare për sistemin energjetik të vendit.




