Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se Kryesia e LDK-së ka vendosur që Kuvendi i partisë të thirret më 31 janar, pas një diskutimi të hapur dhe të përgjegjshëm në mbledhjen e saj.
Në një postim publik, Abdixhiku theksoi se Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës i partisë dhe se aty, sipas statutit dhe traditës demokratike të LDK-së, trajtohen çështjet më të rëndësishme të saj. Ai nënvizoi se LDK i zgjidh çështjet e brendshme përmes rregullit, transparencës dhe respektit për anëtarësinë, larg tensioneve dhe gjuhës përçarëse.
Sipas tij, debati i brendshëm është i shëndetshëm dhe i domosdoshëm, ndërsa përçarja pa demokraci është e dëmshme për partinë. Abdixhiku vlerësoi se Kuvendi i 31 janarit nuk përbën krizë, por një mundësi për t’u dëgjuar, për t’u bashkuar rreth vlerave themelore të LDK-së dhe për të dalë më të fortë nga ky proces.
Ai theksoi se LDK ka kaluar edhe më herët sfida të shumta, duke ruajtur gjithmonë boshtin e saj – demokracinë, dinjitetin dhe besimin te anëtarësia – dhe se edhe kësaj radhe do të dalë më e bashkuar dhe më e përgatitur për sfidat e ardhshme.
“Në LDK nuk i ikim përgjegjësisë, sidomos kur është e vështirë”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se pas 31 janarit partia do të ecë përpara më e qartë dhe më e gatshme për betejat që e presin.




