Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe me urdhër të Gjykatës Themelore, ka arrestuar katër persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Operacioni u zhvillua më 19 janar 2026 në katër lokacione të ndryshme, ku u kontrolluan banesa private, një lokal afarist dhe një zyrë.
Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se kanë marrë ryshfet për pajisjen e personave me certifikata për leje armësh pa prezencën e tyre, në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar telefona, dokumente dhe prova relevante, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.




