Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar më 19 janar 2026, rreth orës 02:12, në fshatin Poslishtë të Prizrenit. Një grua ka kërkuar ndihmën e policisë pasi ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Pas mbërritjes në vendngjarje, patrullat policore u përballën me rezistencë të dhunshme, pasi bashkëshorti i viktimës, vëllai dhe babai i tij sulmuan zyrtarët policorë dhe tentuan ta rrezikonin sërish viktimën. Policia u sulmua fizikisht dhe me gurë, ndërsa për të mbrojtur viktimën ndërhyri me forcë duke vënë situatën nën kontroll.
Tre të dyshuarit u arrestuan dhe u dërguan në stacion policor, ndërsa disa zyrtarë policorë pësuan lëndime të lehta trupore dhe morën trajtim mjekësor. Prokurori kujdestar ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh për të arrestuarit, ndërsa rasti po hetohet nga njësitë përkatëse.




