Komuna e Prizrenit ka rezultuar me mospërputhjet më të theksuara nga procesi i rinumërimit të votave, i cili ka filluar më 13 janar. Parregullsitë e shumta dhe dyshimet për vjedhje të votave kanë shtyrë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të marrë vendim për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në këtë komunë.
KQZ ka vendosur t’i shkarkojë nga detyra përfaqësuesit e subjekteve politike në KQZK-në e Prizrenit, duke vlerësuar se shkeljet e konstatuara kanë cenuar seriozisht integritetin e procesit zgjedhor.
Rinumërimi ka prodhuar ndryshime të mëdha në rezultatet e kandidatëve, veçanërisht në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Kandidati për deputet Fetah Paçarizi kryeson listën e humbjeve me 6 mijë e 22 vota më pak. Pas tij vijnë Nait Hasani me 3 mijë e 419 vota, Kujtim Gashi me 2 mijë e 359 dhe Luljeta Veselaj Gutaj me 2 mijë e 103 vota të zbritura.
Edhe kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shënuar rënie në numrin e votave, ku Arbër Rexhaj ka humbur mbi 530 vota, Rea Krasniqi rreth 420 dhe Valon Ramadani mbi 400 vota. Në anën tjetër, rinumërimi ka rezultuar me shtim votash për disa kandidatë, përfshirë Hajrulla Çekun me mbi 100 vota, Alban Bajramin me rreth 90 dhe Driton Hysenin me rreth 80 vota më shumë.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukës i janë hequr mbi 1 mijë e 200 vota, Driton Selmanajt mbi 850, ndërsa Anton Qunit rreth 460 vota. Ndërkohë, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Krasniqi ka humbur mbi 220 vota, Tringa Morina rreth 160 dhe Edmond Hoxha mbi 120 vota.
Subjektet politike kanë kërkuar hetime nga institucionet e drejtësisë, duke theksuar se dallimet e mëdha në vota nuk mund të shpjegohen vetëm me gabime teknike.
Prokuroria Themelore në Prizren ka autorizuar Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet. Kryeprokurori Petrit Kryeziu ka deklaruar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe do të trajtohen pa asnjë kompromis.




