Kandidatja për deputete nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila vjen nga radhët e partisë Guxo, Jeta Statovci, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit, temë që ka marrë vëmendje të madhe pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Statovci u shpreh se një mandat i dytë për presidenten aktuale, Vjosa Osmani, do të ishte pozitiv për vendin. Ajo vlerësoi punën e Osmanit, duke theksuar angazhimin e saj institucional dhe rolin në forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sipas Statovcit, zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar se bllokadat dhe bojkotet politike nuk sjellin rezultat dhe nuk përkthehen në mbështetje qytetare. Për këtë arsye, ajo shprehu pritjen që procesi për zgjedhjen e presidentit të përmbyllet pa pengesa.
“Pres një qasje konstruktive nga opozita, në mënyrë që institucionet të ecin përpara. Besoj se Kosova do të ketë president në muajin mars”, deklaroi Statovci.
Ajo theksoi se bashkëpunimi politik është i domosdoshëm për stabilitet institucional dhe vazhdimin e proceseve shtetërore.




