Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar dhe pritet të përmbyllet deri në fund të muajit janar. Sipas tij, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të shpallen në fillim të shkurtit.
Elezi tha se rinumërimi po realizohet në bazë të dy vendimeve të KQZ-së dhe përfshin gjithsej 2,557 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. Aktualisht, në proces janë të angazhuara 76 ekipe numërimi në ditë pune, me qëllim respektimin e afateve.
Pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja do të ndjekë procedurat ligjore për shpalljen dhe certifikimin e rezultateve, duke lënë hapësirë për ankesa nga subjektet politike dhe kandidatët, në përputhje me ligjin.




