Boban Toniq, i akuzuar për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur sot. Ai po akuzohet për veprime të kryera në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe atë të Lipjanit.
Në seancë, aktakuza u lexua nga prokurori special, ndërsa më pas gjykatësi i rastit i bëri të ditura të akuzuarit të drejtat e tij procedurale. Pas kësaj, Toniq deklaroi se nuk ndihet fajtor për akuzat që rëndojnë mbi të.
Gjykata njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtjen e tij se brenda një afati prej 20 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtime ndaj provave dhe të kërkojnë hedhjen e aktakuzës.




