Bordi i Drejtorëve i Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT Sh.A.) ka emëruar njëzëri Trim Tërnavën në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv. Vendimi është marrë më 19 janar 2026, pas përfundimit të një procesi transparent dhe konkurrues, në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.
Tërnava do ta fillojë detyrën më 16 shkurt 2026. Ai ka përfunduar studimet master në Ekonomi të Energjisë në Universitetin Rice në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa studimet themelore në Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Prishtinës.
Me mbi një dekadë përvojë profesionale dhe udhëheqëse në sektorin e energjisë, Tërnava ka ekspertizë në ekonominë e energjisë, zhvillimin e tregut, tranzicionin energjetik dhe integrimin rajonal e evropian. Ai synon forcimin e rolit të KOSTT-it dhe avancimin e objektivave strategjike, me fokus në operim të sigurt, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të sistemit të transmetimit dhe tregut të energjisë elektrike.




