Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të rregullt mbi “Vlerësimin e trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë”, duke shqyrtuar performancën e Njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Prishtinë.
Raporti, i realizuar sipas Planit Vjetor të Inspektimeve 2025, ka identifikuar kapacitetet profesionale, respektimin e procedurave ligjore dhe menaxhimin e dëshmive dhe dosjeve.
IPK ka dhënë 10 rekomandime për Policinë e Kosovës, duke përfshirë: vendosjen e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, raportimin korrekt tek Prokuroria, kompletimin e dosjeve me dëshmi dhe raporte, zbatimin e planeve të hetimit dhe sigurimin e zinxhirit komandues gjatë procedimeve penale. Rekomandimet synojnë përmirësimin e profesionalizmit dhe performancës policore.




