Një delegacion nga Beogradi, i udhëhequr nga kryenegociatori serb Petar Petkoviq, ka mbërritur mbrëmë në Bruksel, ku sot pritet të marrë pjesë në një raund të ri dialogu me palën kosovare, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, raportojnë mediat serbe.
Sipas këtyre raportimeve, delegacioni serb do të insistojë në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, si dhe do të theksojë, sipas tyre, pozitën e serbëve në Kosovë.
Ndërkohë, emisari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, javën e kaluar ka qëndruar në Kosovë dhe Serbi, por pa paralajmëruar zyrtarisht një raund të ri bisedimesh. Deri më tani, as institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar mbajtjen e takimeve në Bruksel.




