Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) rikujton se vaksinimi mbetet një nga masat më të suksesshme të shëndetit publik në vend. Falë tij, sëmundje si poliomieliti janë eliminuar, difteria dhe tetanusi janë të rralla, ndërsa fruthi, shytat dhe rubella kontrollohen me sukses.
IKSHPK thekson se informacionet që lidhin vaksinën MMR me autizmin janë të pasakta. Shkenca ndërkombëtare dhe organizata si OBSH, CDC dhe EMA konfirmojnë se vaksina MMR është e sigurt dhe nuk shkakton autizëm.
Vaksinimi mbetet mënyra më e efektshme për të mbrojtur fëmijët nga komplikimet serioze të sëmundjeve, duke përfshirë infeksione të mushkërive, dëmtime të trurit dhe rrezikun e vdekjes. Profesionistët shëndetësor janë burimi kryesor i informacionit për prindërit mbi rëndësinë e vaksinimit.




