Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit F.B., i cili aktualisht ndodhet në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 20 janar 2026 në fshatin Restelicë, Komuna e Dragashit, në shtëpinë familjare ku i dyshuari jetonte së bashku me viktimën. Dyshohet se F.B. me dashje ka privuar nga jeta nënën e tij, T.B., duke e goditur fillimisht me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas duke e shtrënguar për fyti me duar, çka ka shkaktuar vdekjen e saj në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, i dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që shkelin ligjin.




