Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave policore serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, të ndodhur më 22 janar 1998.
Kurti ka rikujtuar se në mëngjesin e asaj dite, policia serbe sulmoi për rreth gjysmë ore shtëpitë e Shaban Jasharit me armë automatike dhe predha, ndërsa Shaban Jashari dhe djali i tij Hamza rezistuan nga brenda shtëpive. Si pasojë e të shtënave, u plagosën dy vajza të familjes, Selvete dhe Iliriana Jashari.
Ai theksoi se ky ishte sulmi i dytë ndaj familjes Jashari, pas atij të 30 dhjetorit 1991, datë që më vonë u shënua si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Kurtit, rezistenca e familjes Jashari u shndërrua në simbol të qëndresës kundër regjimit shtypës të Serbisë dhe në frymëzim për luftën çlirimtare.
Kryeministri në detyrë shtoi se kulmi i kësaj rezistence u shënua në mars të vitit 1998, kur sulmi masiv ndaj familjes Jashari dhe fshatit Prekaz frymëzoi mijëra qytetarë që t’i bashkoheshin UÇK-së.
“Historia e çlirimit të Kosovës është shenjuar nga njerëz kurajozë dhe familje si ajo e Shaban Jasharit, të cilët u flijuan me vendosmëri për lirinë e popullit,” ka shkruar Kurti, duke shprehur respekt dhe nderime të thella për familjen Jashari.




