Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se në Davos ka nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes, duke e bërë Kosovën anëtare themeluese, të barabartë dhe me të drejta të plota të kësaj iniciative ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Osmani theksoi se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes, të udhëhequra nga aleati strategjik i Kosovës, forcon sovranitetin e vendit, pozitën ndërkombëtare dhe është në interesin më të lartë shtetëror.
Ajo bëri të ditur se marrëveshja historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën, për miratim final nga përfaqësuesit e qytetarëve.
Presidentja falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për lidershipin dhe ftesën për ta përfaqësuar Kosovën në këtë moment historik, duke theksuar se Kosova do të jetë gjithmonë në shërbim të paqes. 🇽🇰🇺🇸




