Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, është duke monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore.
Sipas njoftimit, prokuroria ka autorizuar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me dyshimet për manipulim të votave për kandidatë të caktuar, me qëllim të sigurimit të provave relevante, identifikimit të personave përgjegjës dhe administrimit të materialit zgjedhor në përputhje me ligjin.
Prokuroria ka theksuar se veprat penale që cenojnë të drejtën e votës përbëjnë shkelje serioze të ligjit dhe do të trajtohen me përkushtim maksimal, pa kompromis. Po ashtu, është bërë e ditur se institucioni do të vazhdojë të mbetet i angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit.




