Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se në dhjetor 2025 eksporti i mallrave nga Kosova arriti në 79,4 milionë euro, ndërsa importi ishte 636,9 milionë euro, duke rezultuar në një mbulim të importit prej vetëm 12,5%. Deficiti tregtar ishte 557,4 milionë euro, pothuajse i njëjtë me dhjetorin e vitit 2024, kur ishte 561,5 milionë euro.
Sipas ASK-së, grupet kryesore të eksporteve përbëheshin nga:
Metale bazë dhe artikujt prej tyre – 18,1%
Ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – 15,1%
Produkte minerale – 14,4%
Plastika dhe goma – 10,7%
Grupet kryesore të importeve:
Mjete transporti – 13,6%
Makineri, pajisje mekanike dhe elektrike – 13,3%
Ushqime të përgatitura, pije dhe duhan – 12,9%
Eksportet në BE arritën 23,5 milionë euro (29,5% e eksporteve totale), me partnerët kryesorë Gjermania, Italia dhe Holanda. Importet nga BE ishin 283,2 milionë euro (44,5% e importeve), me Gjermaninë, Italinë dhe Poloninë si vendet më të rëndësishme.
Eksportet me vendet e CEFTA-s arritën në 39 milionë euro, me partnerë kryesorë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi, ndërsa importet nga CEFTA ishin 75,8 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 23,8%.
Eksportet me vendet e tjera ishin 17 milionë euro, kryesisht nga Zvicra dhe Turqia, ndërsa importet 277,8 milionë euro, me pjesëmarrjen më të madhe nga Turqia dhe Kina.
Ky tregues tregon se Kosova vazhdon të ketë një deficit të lartë tregtar, me eksportin që mbulon një pjesë të vogël të importeve.




