Gjykata Speciale ka reaguar lidhur me ligjëratën e mbajtur në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke theksuar se aktiviteti nuk përfshinte përmbajtje politike ose ideologjike. Që nga viti 2018, Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i Gjykatës ka zhvilluar rregullisht aktivitete me studentë, juristë dhe qytetarë për të ofruar informacion mbi mandatin dhe veprimtarinë e Dhomave të Specializuara.
Qëllimi i këtyre ligjëratave është të sigurojë transparencë, t’u përgjigjet pyetjeve të publikut dhe të ofrojë informacion rreth të drejtave të të akuzuarve dhe pjesëmarrjes së viktimave. Gjykata nënvizon se informacioni i dhënë është i njëjtë me atë në faqen zyrtare dhe nuk përfaqëson as Prokurorinë apo Mbrojtjen, duke respektuar prezumimin e pafajësisë së të akuzuarve.




