Kryeministri në detyr Albin Kurti ka ndarë një video në Facebook duke njoftuar pjesëmarrjen e Kosovës në panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit “Swissbau 2026” në Basel, Zvicër. Ai thekson se nga 8 biznese vendore që morën pjesë në edicionin e vitit 2022, tani Kosova mbështet 27 biznese vendore në këtë panair.
Kosova është ndër 19 shtetet e përfaqësuara në panair dhe është e vetmja nga rajoni, me një hapësirë ekspozuese prej afër 700 metrash katrorë, e mbështetur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Swissbau është një nga panairet më të rëndësishme të sektorit të drurit në Evropë, i cili vizitohet nga mbi 52 mijë profesionistë dhe ku marrin pjesë 592 biznese nga 19 shtete të ndryshme. Pjesëmarrja e Kosovës synon të forcojë prezencën ndërkombëtare të bizneseve vendore dhe të promovojë produktet e sektorit të drurit dhe ndërtimit.




