Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim të posaçëm. Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani procesi ka përfunduar plotësisht në 19 komuna, ndërsa në po aq të tjera rinumërimi ende vazhdon.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se nga fillimi i rinumërimit më 13 janar janë rinumëruar rreth 49 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 1,240 nga gjithsej 2,557. Sipas tij, mbeten edhe rreth 1,300 vendvotime për t’u rinumëruar, shkruan EkonomiaOnline.
Elezi theksoi se KQZ është e angazhuar që procesi të përmbyllet sa më shpejt, në mënyrë që të hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Ai shtoi se, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e më pas edhe në Gjykatën Supreme, nëse e shohin të nevojshme.
Vetëm pas përfundimit të të gjitha procedurave ankimore dhe zbatimit të vendimeve përkatëse, KQZ do të mund të certifikojë rezultatin përfundimtar dhe të mbyllë procesin zgjedhor.




