Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i rinumërimit të plotë të 2,557 vendvotimeve do të përmbyllet gjatë javës së ardhshme. Sipas zëdhënësit Valmir Elezi, përfundimi i këtij procesi do t’i hapë rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Elezi ka sqaruar se rinumërimi heq dilemat lidhur me rezultatet dhe mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ do të presë paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre nga subjektet politike dhe kandidatët para certifikimit të rezultateve. Ky proces vjen pas verifikimeve në 33 vendvotime, ku u konstatuan mos-përputhje mes votave të numëruara në Qendrat Komunale dhe fletëvotimeve.
KQZ konfirmon se rezultati përfundimtar do të bazohet në votat e rinumëruara në Qendrën Kombëtare të Numërimit (QNR).




