Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se opozita nuk ka asnjë shans për ringritje nëse vazhdon të veprojë, siç tha ai, në mënyrë mekanike dhe pa ide politike. Sipas tij, opozitës i kanë mbetur vetëm dy momente kyçe: zgjedhjet e brendshme dhe vendimi nëse do t’i japë kuorumin Albin Kurtit për zgjedhjen e Presidentit.
Molliqaj paralajmëroi se gabimi më i madh i opozitës do të ishte pjesëmarrja në kuorum për Presidentin, pasi kjo, sipas tij, do t’i shërbente Kurtit për të zgjeruar kontrollin mbi institucionet kryesore të shtetit. Ai theksoi se roli i Presidentit është vendimtar në emërimin e Kryeprokurorit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Molliqajt, marrja nën kontroll e organit të akuzës dhe dobësimi ose politizimi i Gjykatës Kushtetuese do ta çonte vendin drejt një pushteti autoritar, ndërsa përgjegjësinë për këtë do ta mbanin deputetët që do ta mundësonin një proces të tillë.




