Rinumërimi i votave të zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit po vazhdon në gjithë Kosovën dhe deri më tani ka përfshirë mbi gjysmën e vendvotimeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë rinumëruar më shumë se 55 për qind e votave, pas evidentimit të mospërputhjeve në rezultatet fillestare për kandidatët për deputetë.
Siq shkruan Sinjali,nga rinumërimi i deritanishëm janë identifikuar dhjetëra mijëra vota të numëruara gabimisht, çka ka nxitur edhe veprime të organeve të drejtësisë. Hetimet për dyshime për manipulim të votave janë zgjeruar në disa komuna, përfshirë Prizrenin, Ferizajn dhe Malishevën.
Në Prizren janë arrestuar dhjetëra persona, ndërsa gjykata ka caktuar masa paraburgimi për disa prej tyre, nën dyshimet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e procesit zgjedhor. Autoritetet kanë theksuar se manipulimi i votave përbën vepër penale dhe se do të ketë hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim për të gjithë të përfshirët.
Liderët e partive politike kanë kërkuar transparencë dhe rinumërim të plotë për të garantuar integritetin dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor, ndërsa institucionet kanë paralajmëruar vazhdim të hetimeve deri në zbardhjen e plotë të rastit.




