Federata e Futbollit e Kosovës ka kundërshtuar ashpër deklaratat e ish-avokatit dhe ish-ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Taulant Hodaj, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe fyese për punën shumëvjeçare të komunitetit të futbollit.
FFK thekson se pretendimet për mungesë dokumentacioni dhe profesionalizmi nuk qëndrojnë dhe bien ndesh me faktin se Hodaj ka qenë vetë pjesë e federatës për disa vite.
Sipas reagimit, deklaratat e tij për mosnjohje të vendimit të UEFA-s dhe për rolin e tij në hartimin e statutit janë në kundërshtim me faktet dhe dëshmitë ekzistuese.
Federata vlerëson se këto qëndrime synojnë të dëmtojnë imazhin e institucionit në prag të procesit zgjedhor, duke theksuar se FFK është ndërtuar mbi kontributin e qindra profesionistëve dhe se asnjë narrativë personale nuk mund të zëvendësojë të vërtetën.




