Ismet Kryeziu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit, duke vlerësuar se integriteti i procesit të fundit zgjedhor është cenuar seriozisht.
Ai thekson se parregullsitë dhe manipulimet e zbuluara kanë prekur mbi 60 mijë vota, çka e bën procesin të papranueshëm për certifikim. Sipas Kryeziut, arrestimet dhe aktakuzat ndaj mbi 100 komisionerëve zgjedhorë, shkarkimi i anëtarëve të KQZ-së komunale dhe korrigjimet e votave për kandidatë të caktuar janë dëshmi se procesi ka qenë thellësisht i kontaminuar.
Ai nënvizon se korrigjimet teknike nuk mjaftojnë për rikthimin e besimit publik dhe se legjitimiteti demokratik buron edhe nga besueshmëria e procesit. Kryeziu vlerëson se qytetarët e Prizrenit nuk duhet të penalizohen për këto parregullsi dhe se përsëritja e zgjedhjeve është zgjidhja e vetme për rivendosjen e besimit dhe përfaqësimit të drejtë politik.




