Prishtinë, 26 janar 2026 – Prokuroria e Apelit, në funksion të transparencës dhe mbrojtjes së integritetit institucional, reagon ndaj deklarimeve të bëra nga prokurorja znj. Elza Bajrami në emisionin “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar me datë 24.01.2026, ku e njejta ka paraqitur pretendime të pavërteta lidhur me ushtrimin e mandatit të Prokurorisë së Apelit.
Prokuroria e Apelit, rikujton opinionin publik se në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, përfshirë Ligjin për Prokurorin e Shtetit, Kodin e Procedurës Penale dhe Udhëzimin e ZKPSH -ë A.nr.42/2023, ka mandat ekskluziv të shqyrtojë ankesat e palëve të autorizuara të parashtruara ndaj aktvendimit mbi hedhjen e kallëzimit penal dhe aktvendimit mbi pushimin e hetimit. Në përputhje me këtë mandat, Prokuroria e Apelit vlerëson ligjshmërinë edhe të aktvendimeve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke perfshire edhe ato në të cilat ka vendos prokurorja znj. Bajrami.
Prokuroria e Apelit, vlerëson se deklarimet e prokurores Bajrami, ku aludohet se Prokuroria e Apelit, “me tendencë ka kontrolluar vendimet e saj me qëllim që t’ia njollosë punën dhe profesionalizmin, për të pamundësuar kandidimin e saj si antare në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, janë jo vetëm të pavërteta, por përbëjnë tentim për të krijuar perceptim të rremë publik mbi punën profesionale dhe të pavarur të prokurorëve të Prokurorisë së Apelit.
Po ashtu, përdorimi i një gjuhe të papërshtatshme, ndaj kolegëve gjegjësishtë prokurorëve të Prokurorisë së shkallë e dytë, përbën sjellje të papranueshme për një prokurore të shtetit.
Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë e Apelit në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial dhe ulë besimin e publikut.
Prokuroria e Apelit mbetet e përkushtuar në ushtrimin e mandatit të saj ligjor, ruajtjen e pavarësisë institucionale dhe respektimin e standardeve profesionale.




