Prizreni është identifikuar si zona me dyshimet më të mëdha për parregullsi në votimet e 28 dhjetorit, duke u konsideruar si rasti më i theksuar që çoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në vendimin për rinumërim të plotë të votave në mbarë vendin.
Hetimet për keqpërdorime kanë rezultuar edhe me veprime konkrete të organeve të drejtësisë. Prokuroria Themelore në Prizren ka zhvilluar një aksion në të cilin janë ndaluar 109 persona të dyshuar për përfshirje në manipulime zgjedhore.
Ndër të dyshuarit ka pasur edhe familjarë apo të afërm të kandidatëve për deputetë. Një nga rastet me më së shumti mospërputhje lidhet me kandidatin Fetah Paçarizi, të cilit deri tani i janë zbritur gjithsej 6 mijë e 754 vota.
Sipas të dhënave aktuale, procesi i rinumërimit ka përfunduar në rreth 70 për qind në nivel vendi, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të sqarojnë plotësisht ndikimin e parregullsive të konstatuara.




