Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi ENG 24 x 400 gramë, pas identifikimit të një rreziku serioz për shëndetin.
Sipas AUV-së, në këtë seri të produktit është konfirmuar prania e substancës Cereulide, e cila mund të jetë e dëmshme për foshnjat. Produkti është prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone) dhe importues për Kosovën është kompania UNION SH.P.K. nga Vushtrria.
Agjencia i bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që posedojnë këtë produkt të mos e përdorin dhe ta kthejnë në pikat e shitjes ku e kanë blerë. AUV thekson se do të vazhdojë monitorimin e tregut dhe zbatimin e masave për sigurimin e ushqimit dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.





