Gjatë procesit të verifikimit të deklarimeve të pasurisë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka evidentuar një rast të pazakontë që ka përfunduar në Prokurorinë e Shtetit.
Sipas të dhënave, një zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës, i identifikuar me inicialet S.S., ka deklaruar pagë mujore prej 817 eurosh, por ka pohuar se nuk e ka shfrytëzuar atë fare. Ai është arsyetuar se shpenzimet i ka mbuluar nga të ardhurat e qirasë dhe nga ndihma financiare e familjarëve që jetojnë jashtë vendit.
Megjithatë, APK ka konstatuar mospërputhje mes deklarimit të pasurisë dhe dokumenteve të dorëzuara më pas. Sipas agjencisë, disa të hyra nga qiraja, kontrata shitblerjeje dhe ndihma nga diaspora nuk janë deklaruar në formularët përkatës, ndërsa nuk janë ofruar dëshmi bindëse për shpenzimet dhe burimet e tjera financiare.
Për këtë arsye, rasti është dërguar për trajtim të mëtejmë në Prokurorinë e Shtetit, me dyshimin se pasuria nuk është deklaruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në arsyetimin e tij, S.S. ka deklaruar se gjendja e mirë financiare e familjes lidhet me punën shumëvjeçare të babait të tij jashtë vendit, si dhe me mbështetjen e vazhdueshme nga familjarët në diasporë, veçanërisht gjatë një periudhe të vështirë shëndetësore familjare. Ai ka theksuar se është i gatshëm të bashkëpunojë dhe të japë sqarime për çdo shumë të kursyer.
Rasti i është përcjellë Prokurorisë më 19 qershor 2025, ndërsa deri tani nuk ka pasur një deklaratë publike nga zyrtari në fjalë.




