Komisioni Evropian ka njoftuar një mbështetje prej 171 milionë eurosh për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e sektorit privat në Ballkanin Perëndimor. Nga kjo shumë, 94.7 milionë euro janë për investime infrastrukturore dhe 76.3 milionë për sektorin privat, ndërsa 2.9 milionë euro shkojnë për projekte teknike në Shqipëri dhe Bosnje.
Megjithatë, Kosova nuk përfiton nga fondet, pasi ende nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Projekti synon përmirësimin e energjisë, ujit, digjitalizimit dhe arsimit në rajon, duke mobilizuar gjithsej 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve të veçanta. Komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, theksoi se këto investime përmirësojnë ndërlidhjen rajonale dhe afërsinë me Bashkimin Evropian.




